Sergei Esenin për veten.

Jam një bir fshatari. Kam lindur më 21 shtator 1895 në lokalitetin e Kuzminit të qarkut të Rjazanit, po në gubernën e Rjazanit.

Qysh në moshën dy vjeç, meqë babai ishte i varfër dhe kishte shumë frymë në familje, më dërguan te gjyshi nga nëna, i cili ishte në gjendje dhe kishte tre djem të rritur beqarë, me të cilët kalova gjithë fëmijërinë. Dajët e mi ishin djem çapkënë dhe kokëkrisur. Kur u bëra tre vjeç e gjysëm, më hipën në një kalë pa shalë dhe më lëshuan revan. Mbaj mend që u tremba shumë dhe u kapa fort pas jeles së kalit.

Pastaj më mësuan të bëja not. Njëri nga dajët (dajë Sasha), më merrte në barkë, më zhvishte e më hidhte si këlysh në ujë. Unë përplasja krahët si i çoroditur e i tromaksur dhe, kur mua gati më mbahej fryma, ai bërtiste: “Eh kuçkë! S’je për asgjë”

Fjalën kuçkë ai e kishte përkëdhelje. Më vonë në moshën tetë vjeç, një daje tjetër unë i zëvendësoja shpeshherë qenin e gjahut, duke notuar nëpër gjole për të kapur rosat e egra. Isha mësuar për bukuri të ngjitesha nëpër pemë. Për këtë ua kaloja të gjithëve. Kur mëllenjat nëpër mështekna nuk e linin ndokënd të flinte, unë ngjitesha shpejt dhe merrja çerdhet. Një herë rashë, po nuk pësova ndonjë gjë të madhe, u gërvisha pak në fytyrë e në bark, po theva një shtamë me qumësht që do t’ia çoja gjyshit që po kosiste.

Midis fëmijëve isha gjithnjë i parë dhe sherrxhi i madh, dhe kthehesha në shtëpi përherë i gervishur. Për këto prapësira më bërtiste vetëm gjyshja, kurse gjyshi më nxiste nganjëherë edhe vetë për sherr dhe i thoshte gjyshes: “Mos e nga moj budallaqe. Ashtu do të bëhet më i fortë”.

Gjyshja më donte me gjithë shpirt dhe dashuria e saj nuk njihte kufi. Të shtunave më lanin, më prisnin thonjtë e më lyenin kokën me vaj, se flokët e dredhur mezi më kriheshin. Po edhe vaji s’më bënte shumë dobi. Përherë bërtisja e madje edhe tani sikur s’para i pres me kënaqësi të shtunat.
Të djelave më dërgonin gjithnjë në kishë dhe që të siguroheshin se veja vërtet, më jepnin 4 kopejka. Dy kopejka për naforë dhe dy për t’i hedhur te kondizma e Shenjtorit, po unë paguaja vetëm për naforën, kurse te shenjtori bëja sikur hidhja, po s’hidhja gjë dhe ia mbathja në varrezë e luaja me kalamjtë.

Kështu më kaloi fëmijëria. Kur u rrita, donin të më bënin mësues fshati, ndaj më shpunë në një eminar fetar, pas mbarimit të të cilit duhej të shkoja në Institutin Pedagogjik të Moskës. Për fat të mirë, nuk ndodhi kështu. Metodika dhe didaktika më kishin ardhur në majë të hundës dhe as doja të dëgjoja më për to.

Vjersha kam filluar të shkruaj herët, nëntë vjeç, por, me ndërgjegje të plotë, krijimtarisë i hyra kur u bëra 16-17 vjeç. Dhe vjersha të kësaj moshe i kam botuar në librin tim të parë “Përshpirtja”.

Kur u bëra tetëmbëdhjetë vjeç, habitesha pse gazetat nuk m’i botonin krijimet që u dërgoja dhe befas ia mbatha në Petërburg. Atje nuk më pritën keq. I pari që njoha ishte Blloku, i dyti, Gorodeckij. Kur takova Bllokun, më rrodhën djersët çurg, sepse për herë të parë po shikoja një poet të gjallë. Gorodeckij më njohu me Klujevin, që s’ia kisha dëgjuar ndonjëherë emrin. Me Klujevin u bëmë miq të ngushtë, miqësi që e vazhdojmë edhe sot, pavarësisht se kemi gjashtë vjet pa u takuar.
Tani ai jeton në Viterg, më shkruan se ha bukë me krunde e se ka mbetur për faqe të zezë dhe se i lutet Zotit që të mos vdesë me turp.

Viteve të luftës dhe revolucionit, fati më përplasi sa andej këndej. I rashë Rusisë kryq e tërthor nga Oqeani i Ngrirë i veriut, e deri në detin e Zi dhe atë Kaspik, nga Perëndimi në Kinë, Persi dhe Indi.
Kohën më të mirë të jetës sime quaj vitin 1919. Atëherë kaluam një dimër me 5 gradë temperaturë brenda në dhomë. S’kishim asnjë shkop dru.
Në PKR nuk hyra asnjëherë, sepse e quaj veten shumë më të majtë.

Shkrimtari im më i dashur është Gogoli.
Kam botuar shtatë libra. Tani po punoj mbi diçka të madhe, të titulluar, Në kur s’kishte letër, me Kusikovin dhe Mariengofin i shkruanim vjershat në muret e manastirit të Përkushtimit, ose i recitonim ku të mundnim nëpër bulevard. Amatorët më të mirë të poezive tona ishin prostitutat dhe banditët omunistët na urrejnë tmerrësisht.

U dërgoj përulësisht të fala gjithë lexuesve dhe pakëz vëmendje përpara tabelës “Lutem mos qëlloni!”

Sergei Esenin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *