Pjesë të shkëputura nga Jose Ortega y Gasset.

“Jeta jonë, si një program mundësish, është e mrekullueshme, e bollshme, superiore ndaj të gjithë epokave të tjera të njohura në histori.

Por, pikërisht prej faktit, se qëllimi i saj është më i madh, ajo tashmë i ka pëmbytur të gjitha kanalet, parimet, normat, idealet, që ka arritur t’i ruajë e t’i pëcjellë tradita. Ajo është shumë më tepër je se sa të gjitha ekzistencat e mëparshme, rrjedhimisht edhe më problematike, duke mos gjetur dot drejtimin tek e shkuara.

Ndaj, lipset ta zbulojë vetë fatin e vet… Rrethanat tona – pra, këto mundësi – janë ato që na formojnë copëzën e jetës së dhuruar, të diktuar ndaj nesh, duke përbërë njëherësh edhe atë e quajmë botë. Jeta nuk arrin ta zgjedhë botën e saj, ajo e gjen vetveten, që në fillim, në një botë të përcaktuar e të pandryshueshme; në botën e së tanishmes.

Ne s’jemi të hedhur në këtë ekzistencë njëlloj si një gjyle prej një topi, me një trajektore absolutisht të përcaktuar. Fati, tek i cili ne biem kur vijmë në këtë botë – që mbetet gjithmonë kjo dhe vetëm kjo – konsiston saktësisht në të kundërtën.

Në vend që të diktojë mbi ne vetëm një trajektore, ajo na dikton disa, duke na shtrënguar rrjedhimisht të zgjedhim. Kusht befasues, ky i ekzistencës sonë! Të jetosh do të thotë ta ndiesh veten fatalisht të detyruar të ushtrosh lirinë tënde e të vendosësh se çfarë kërkon të jesh në këtë botë.

Ne gjejmë veten të ndeshur shpesh me disa dallime të caktuara, të ekzistuara përjetësisht, midis budallait dhe njeriut të ndjeshëm, kur ky i fundit, në mënyrë konstante e ndjen veten shumë afër të qenit budalla, ndaj përpiqet si e si t’i arratiset kërcënimit të budallallëkut. Pikërisht në këtë përpjekje qëndron gjithë inteligjenca e tij.

Nga ana tjetër, budallai s’dyshon aspak te vetja, por e mendon veten si njeriun më të matur të të gjithë njerëzve; kjo shpjegon edhe atë qetësi për t’u pasur zili që ai paraqet, duke e instaluar kështu gjithë qënien brenda budallallëkut të vet.

Njësoj si ato insektet, që është e pamundur t’i nxjerrësh prej vrimës ku banojnë, po kështu nuk ka asnjë mënyrë për të shpërngulur budallain, qoftë edhe për një cast, prej budallallëkut të vet, për ta nxjerrë kështu nga gjendja e tij e verbër e për ta detyruar të vërë në kontrast vizionin e tij të qullët mbi botën dhe format e tjera inteligjente të këndvështrimi.

Jose Ortega y Gasset

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *